[KDE-SHQIP] GCompris: çilimi
Dashamir Hoxha
dashohoxha at gmail.com
Sun Apr 11 18:40:59 BST 2021
Po përfshij në diskutim edhe edukatorin e mirënjohur Agron S. Dida, i
cili ka krijuar faqen edukative Zgjoi (https://www.zgjoi.com/about).
On Sat, Apr 10, 2021 at 10:55 AM Besnik Bleta <besnik at programeshqip.org> wrote:
>
> On Sat, 10 Apr 2021 05:48:16 +0200
> Dashamir Hoxha <dashohoxha at gmail.com> wrote:
>
> > Nuk kam dyshim që fjala "çilimi" përdoret dhe është pjesë e gjuhës
> > shqipe, por më duket pak si fjalë krahinore. Përveç kësaj as GT nuk e
> > njeh, e nxjerr si fjalë Turkmene.
> > Mos do ishte më mirë të përdorej ndonjë fjalë tjetër e ngjashme, si
> > p.sh. "kalama", "vogëlush", etj.?
>
> Ndoshta “miturake” si te “lodra miturake” është më mirë.
Një fjalë tjetër e përshtatshme mund të ishte edhe "vocërrak", e cila
më duket se vjen prej gegnishtes (p.sh. "Luli i Vocërr" i Migjenit:
https://www.botasot.info/libra-sporti/1408211/luli-i-vocerr/) Nëse
ndonjë ditë përkthimi i GCompris do të përshatej edhe për gegnisht
(p.sh. me kodin sq_KS), ndoshta kjo do të ishte fjala e duhur.
Në përgjithësi unë mendoj se krahas gjuhës shqipe të njëjtësuar, nëpër
shkolla duhet të mësohen edhe të folmet krahinore të secilit vend.
Shqipja është shumë e pasur me të folme krahinore të larmishme dhe kjo
pasuri nuk duhet lënë të humbasë. Sigurisht që është e vështirë të
kesh një program të unifikuar për këtë lëndë mësimore, por çdo mësues
gjuhe i apasionuar mund ta mësojë vetë të folmen krahinore të vendit
ku jep mësim, e më pas tua mësojë këtë fëmijëve. Një shembull i
shkëlqyer ka ngjarë në Itali shumë vite më parë, ku një mësues italian
që jepte mësim në një katund arbëresh, e ka mësuar gjuhën dhe kulturën
arbëreshe të katundit, me qëllim që tua mësojë atë edhe fëmijëve të
shkollës (https://www.youtube.com/watch?v=D03Y87Llhbw). Ky rast më ka
mrekulluar dhe më ka lënë mbresa shumë pozitive.
Profesor, ne kemi pasur një diskutim të vogël se cila do të ishte një
fjalë e përshtatshme për "fëmijë të vegjël", në kuadrin e përkthimit
në shqip të programit edukativ GCompris (https://gcompris.net/). Ky
program është përkthyer nga përkthyesi i mirënjohur Besnik Bleta, dhe
ndërkohë unë po përpiqem t'i bëj një rishikim me sugjerime,
rregullime, apo përmirësime, aq sa mundem. Pra, sipas mendimit tuaj,
cila nga këto fjalë do të ishte më e përshtatshme për "fëmijët e
vegjël":
- çilimi
- kalama
- vogëlush
- i mitur
- vocërrak
Falë Zotit, shqipja është plot me mundësira.
Ju faleminderit për mendimin tuaj,
Dashamiri
More information about the Kde-i18n-sq
mailing list